2 nën 2021

Kërkohet: energji e pastër për përfitime të plota klimatike

Publikohet raporti i vlerësimit të ciklit të jetëgjatësisë së C40 Recharge – si ndikon qasja në energji të pastër te përfitimet e makinës elektrike?

Volvo C40 Recharge plotësisht elektrik i futur në prizë për t'u karikuar.

Raporti i vlerësimi të ciklit të jetës (LCA) për C40 Recharge ilustron se sa CO2 pritet të emetojë makina gjatë gjithë ciklit të saj të jetës.

Ne synojmë të jemi një kompani makinash plotësisht elektrike deri në vitin 2030. Si dhe synojmë që të jemi një kompani neutrale ndaj klimës deri në vitin 2040. Ata janë objektiva motivues, por ndërsa e lexoni këtë, emetimet e karbonit vijojnë të jenë pjesë e operacioneve tona.


Ne besojmë se zgjidhja e një problemi fillon me pranimin e ekzistencës së tij dhe të qenit transparent në lidhje me të. Një nga mënyrat se si e bëjmë këtë gjë, është përmes hartimit dhe publikimit të një raporti të Vlerësimit të Ciklit të Jetës (LCA) për çdo model të ri plotësisht elektrik që hedhim në treg. Ne e nisëm këtë raportim transparent dhe proaktiv me XC40 Recharge dhe sot po prezantojmë një LCA për C40 Recharge.


Çdo LCA është para së gjithash një udhëzues për klientët tanë, kështu që ata mund të marrin një vendim të mirëmenduar për blerjen e një Volvo të re. Raporti ilustron përmes disa mënyrave se sa sasi CO2 pritet të emetojë makina gjatë gjithë ciklit të saj të jetës, duke përfshirë fazën e prodhimit dhe të përdorimit.


Një gjetje thelbësore në LCA-në e fundit është se fakti nëse e karikoni C40 Recharge tuaj me burime të pastra energjie është tejet i rëndësishëm. Nuk ka asgjë për t'u habitur; Ne e kemi thënë prej vitesh që kalimi në makina elektrike duhet të shoqërohet me investime të konsiderueshme në energjinë e pastër dhe infrastrukturën publike të karikimit. Megjithatë, LCA-ja paraqet të dhëna të qarta dhe solide për ta mbështetur këtë pikëpamje.

“Kalimi te makinat elektrike duhet të shoqërohet me investime të konsiderueshme në energjinë e pastër dhe infrastrukturën publike të karikimit.”

Raporti tregon se kur ju karikoni një C40 Recharge me energji elektrike të prodhuar nga burime të pastra, gjurmët e CO2 në ciklin e tij të jetës reduktohen në afërsisht 27 tonë CO2, krahasuar me 59 tonë për një XC40 që funksionon me motor me djegie të brendshme (ICE).


Megjithatë, nëse e karikoni atë me kombinimin mesatar të energjisë të disponueshme në mbarë globin (që përmban rreth 60 përqind energji të gjeneruar nga lëndët djegëse fosile), emetimet e CO2 në ciklin e tij të jetës mund të rriten deri në 50 tonë, duke reduktuar ndjeshëm përfitimet mjedisore përkundrejt një makinë ICE.


Me fjalë të tjera, njerëzit në mbarë botën kanë nevojë për ndihmën e qeverive dhe sektorit të energjisë, nëse makinat tona dëshirojnë të realizojnë potencialin e tyre të plotë të reduktimit të karbonit. Ndërsa vazhdojmë ta theksojmë këtë pikë dhe bëjmë thirrje për më shumë investime në energjinë e pastër dhe në stacione publike të karikimit – për shembull në samitin e klimës, në Konferencën e 26-të të Palëve (COP26) në Glasgow – ne po kërkojmë gjithashtu në mënyrë aktive të reduktojmë gjurmën tonë të karbonit.


Për shembull, ne synojmë të reduktojmë gjurmën e karbonit gjatë ciklit të jetës për çdo makinë mesatare me 40 përqind ndërmjet viteve 2018 dhe 2025; duke përfshirë reduktimin e emetimeve të karbonit në zinxhirin tonë të furnizimit me 25 përqind deri në vitin 2025. Ne synojmë gjithashtu prodhimin neutral ndaj klimës deri në vitin 2025, dhe tashmë, të gjitha fabrikat tona në Evropë funksionojnë me energji elektrike 100 përqind të pastër.


Për të lexuar raportin e plotë të vlerësimit të ciklit të jetës së C40 Recharge, klikoni këtu.

Shpërndaje